Tirana Pride 2026 marshon për barazi, dinjitet dhe familjen
May 26, 2026
crca-author
Tiranë, 23 Maj 2026 – Qindra aktivistë, të rinj, organizata të shoqërisë civile, partnerë ndërkombëtarë dhe qytetarë marshuan sot në zemër të Tiranës në kuadër të Tirana Pride 2026, aktiviteti më i madh publik në Shqipëri kushtuar të drejtave, dinjitetit dhe barazisë për personat LGBTIQ+.
Nën sloganin “Bashkë për familjen”, marshimi i këtij viti solli mbi 400 pjesëmarrës në Marshimin e Krenarisë së bashku me një mesazh të fortë për respekt, pranim dhe të drejtën e çdo personi për të jetuar i lirë dhe pa diskriminim në Shqipëri.
Tirana Pride 2026 u organizua në kuadër të edicionit të 17-të të Festivalit të Diversitetit dhe aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), duke e kthyer Tiranën në një hapësirë solidariteti, dukshmërie dhe mbështetjeje për komunitetin LGBTIQ+ në Shqipëri dhe rajon.
Marshimi si çdo vit u bashkë-organizua nga Aleanca LGBT, Ambasada PINK Shqipëri, OMSA, Pro LGBT dhe Streha, me mbështetjen e Këshillit të Europës dhe partnerëve kombëtarë e ndërkombëtarë. Pride u ndoq nga zv. Kryeministrja e Shqipërisë znj. Albana Koçiu.
Festivali i Diversitetit 2026 solli një seri aktivitetesh publike dhe diskutimesh mbi të drejtat e njeriut, përfshirë organizimin e Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Piketat e Ndërmjetme të BE-së dhe të Drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri, ku u diskutua progresi dhe sfidat e vendit në kuadër të procesit të integrimit europian dhe respektimit të të drejtave themelore.
Organizatorët theksuan se Tirana Pride nuk është vetëm një marshim, por një thirrje për barazi, një protestë kundër diskriminimit dhe përjashtimit, si dhe një kujtesë se të drejtat e njeriut janë universale dhe të barabarta për të gjithë.
Pavarësisht gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve që kanë shoqëruar komunitetin LGBTIQ+ në Shqipëri, pjesëmarrësit përcollën mesazhin se progresi shoqëror, respekti për dinjitetin njerëzor dhe rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të ndalen nga paragjykimi dhe frika.
Tirana Pride 2026 përfundoi me një atmosferë solidariteti, muzike dhe mesazhesh për një Shqipëri më të lirë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e saj.