AMBASADA PINK hap fushatën kombëtare “Shkolla të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë LGBTI”
- May 25, 2023
- crca-author
Tiranë, 19 Maj 2023 – Ambasada PINK në partneritet me CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 hapën sot fushatën e përbashkët “Shkolla të Sigurta për fëmijët dhe adoleshentët LGBTI”. Fushata mbështetet nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian dhe ka qëllim që të nxisë krijimin e hapësirave dhe mjediseve të sigurta në shkolla dhe në universitete, për fëmijët dhe adoleshentet LGBTI”.
“Pavarësisht se politikat dhe institucionet e arsimit publik prej vitesh garantojnë në letër arsimin gjithëpërfshirës dhe shkolla të sigurtë për çdo fëmijë dhe adoleshent, në të vërtetë, një sërë vëzhgimesh tregojnë se shkollat tona publike janë vendet më të pasigurta për fëmijët dhe adoleshentët LGBTI” – tha Altin Hazizaj, nga Ambasada PINK/CRCA Shqipëri.
Një vëzhgim i Ambasadës PINK me pjesmarrjen e mbi 600 adoleshentëve që ndiqnin arsimin e mësëm publik dhe mbi 200 mësuesve, tregoi se mbi 60 përqind e mësuesve në Shqipëri nuk e raportojnë dhunën që ushtrohet ndaj adoleshentëve LGBTI, ndërkohë që thuajse 80 përqind e adoleshentëve LGBTI thanë se nuk ndjehen të sigurtë në mjediset e shkollës.”
Fushata Kombëtare “Shkolla të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë LGBTI” fokusohet në dy elemente kryesore. E para është zhvillimi i materialeve informative dhe ndërgjegjësuese për prindërit, adoleshentët dhe mësuesit në lidhje me orientimin seksual dhe identitetin gjinor, pyetjet që kanë të bëjnë me seksualitetin dhe me procesin e pranimit. Gjithashtu broshurat që po zhvillohen do të përmbajnë informacion praktik se ku prindërit, mësuesit, fëmijët dhe adoleshentët mund të kërkojnë më shumë informacion apo mbështetje.
Ndërkohë që elementi i dytë i fushatës është ndërgjegjësimi i të rinjve, studentëve dhe profesionistëve të rinj në lidhje me të drejtat LGBTI. Fushata ka planifikuar që të zhvillojë takime dhe leksione të hapura në Universitete publike, sidomos në fakultetet ku të rinjtë studiojnë për mësuesi, shkenca sociale apo juridik, të cilat janë profesione që për shkak të shërbimeve publike, janë më në kontakt me personat LGBTI.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Ambasada PINK Shqipëri
E-mail: pink@pinkembassy.al