DEKLARATË PËR SHTYP: Projektligji për Barazinë Gjinore – një domosdoshmëri universal për drejtësi, dinjitet dhe të ardhme europiane
- Oct 21, 2025
- crca-author
Tiranë, 21 Tetor 2025 – Projektligji i ri “Për Barazinë Gjinore”, i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, riafirmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj të drejtave universale, të pandashme dhe të patjetërsueshme të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, përmes prezantimit të një reforme të thellë ligjore të përputhur me kornizën evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e domosdoshme për përparimin demokratik dhe ekonomik të vendit.
Gati tri dekada pas Deklaratës dhe Platformës së Pekinit (1995) dhe miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bota, përfshirë Shqipërinë, vijon të përballet me pabarazi strukturore dhe sistemike që kufizojnë potencialin njerëzor dhe dobësojnë parimet demokratike. Këto pabarazi kanë pasoja të thella mbi jetët, liritë dhe dinjitetin e miliona njerëzve dhe pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien shoqërore.
Shqipëria duhet të qëndrojë fort në bindjen se të drejtat e grave dhe vajzave janë universale, të pandashme dhe të patjetërsueshme dhe se barazia gjinore nuk është ideologji, por e drejtë themelore e njeriut, një parakusht për shoqëri të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Projektligji i ri për Barazinë Gjinore përditëson Ligjin ekzistues të vitit 2008, duke e përafruar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW) dhe Konventën e Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Ky ligj është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi ndërinstitucional dhe publik, me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe rrjeteve të grave, ekspertëve të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Delegacionin e BE-së, agjencitë e OKB-së dhe partnerë të tjerë zhvillimi.
Ligji i ri forcon mekanizmat e llogaridhënies, bën të detyrueshëm buxhetimin e përgjigjshëm gjinor dhe mbledhjen e të dhënave gjinore, forcon kompetencat e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore dhe krijon instrumente konkrete për barazi reale në vendin e punës, në vendimmarrje dhe në jetën publike. Ai vlerëson punën e papaguar të kujdesit, promovon paga të barabarta për punë të barabartë, pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje, drejtim dhe politikë, dhe siguron që politikat publike të kontribuojnë në zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.
Në dritën e fushatave të fundit të keqinformimit, është e rëndësishme të sqarohet qartë se projektligji nuk prezanton “gjini të reja” dhe nuk zëvendëson biologjinë; nuk ndërhyn në jetën familjare dhe nuk ndryshon konceptet “nënë”, “baba” apo “prind”; dhe nuk cenon fenë, sportin apo identitetin kombëtar. Përkundrazi, ai forcon familjen shqiptare, mbron dinjitetin e çdo qytetari dhe siguron respekt të ndërsjellë midis grave dhe burrave.
Ne, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, kundërshtojmë fuqishëm përpjekjet për të hequr terminologjinë thelbësore nga Ligji për Barazinë Gjinore, përfshirë termat “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë”. Këto nuk janë koncepte të reja apo ideologjike, por shtylla themelore që e bëjnë ligjin efektiv dhe të aftë për të luftuar pabarazitë reale që përjetohen çdo ditë në shoqërinë shqiptare. Eliminimi i termit “stereotip” do të thotë të mohosh rrënjën e pabarazisë, e cila nis në mendësi, në edukim, në mënyrën si rritim vajzat dhe djemtë, si flasim për gratë në media, politikë dhe biznes dhe si i gjykojmë burrat që kujdesen për fëmijët.
“Përkatësia e shumëfishtë”, në harmoni me konceptin e diskriminimit të shumëfishtë të parashikuar në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, nënkupton që një person mund të përjetojë më shumë se një formë diskriminimi njëkohësisht, për shembull për shkak të gjinisë, moshës, etnisë, karakteristikave identitare, aftësisë së kufizuar apo statusit ekonomik. Ky koncept garanton që ligji të mos jetë i ngurtë përballë realiteteve sociale dhe që askush të mos mbetet pa mbrojtje ligjore, duke adresuar format më komplekse të pabarazisë.
Mesazhi ynë është i qartë: heqja e termave si “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë” dobëson ligjin, cenon përparimin dhe rrezikon të zhbëjë arritjet e dekadës së fundit në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore për çdo qytetar shqiptar. Në një kohë kur në mbarë botën po forcohen lëvizjet kundër të drejtave të njeriut dhe retorikat që synojnë të zhbëjnë arritjet ligjore dhe politike, Shqipëria duhet të zgjedhë rrugën e transparencës, bashkëpunimit dhe progresit. Barazia gjinore nuk është koncept i huaj, por vlerë kushtetuese kombëtare dhe evropiane, thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, pa përjashtuar askënd dhe duke forcuar kohezionin shoqëror dhe mirëqenien e përbashkët.
Ftojmë çdo anëtare dhe anëtar të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, çdo gazetare e gazetar, si dhe çdo qytetare e qytetar, të lexojnë me kujdes përmbajtjen e këtij projektligji dhe të mos lejojnë që dezinformimi ta errësojë thelbin e tij.
Ky nuk është ligj për ndarje, por për bashkim, për familjen, për barazinë dhe për dinjitetin njerëzor. Nuk është ideologji, por thirrje për drejtësi në emër të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të ardhmes së përbashkët.
Organizatat që e mbështesin:
Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Agritra-Vizion, Peshkopi
Gruaja tek Gruaja, Shkodër
Qendra psiko-sociale “Vatra”
Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Tiranë
Forumi i Gruas Elbasan, Elbasan
Shoqata “Jona”, Sarandë
Shoqata “Unë Gruaja”, Pogradec
QZHK “Sot për të Ardhmen”
Strehëza “Edlira Haxhiymeri”
Rrjeti për Demokraci i Gruas në Shqipëri
Shoqata “Refleksione”
“Të Ndryshëm dhe të Barabartë”
Albanian Disability Rights Foundation
Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare
Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT
Streha për Personat LGBT
Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT
Open Mind Spectrum Albania
Qendra “Hapa të Lehtë”
Partners Albania
PINK Embassy
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri














