Ekspozita “Të jesh Transgjinor në Shqipëri” - thyen tabutë mbi identitetin gjinor

   Ambasada PINK Shqipëri me mbështetjen e Këshillit të Europës, realizojnë ekspozitën e parë fotografike të personave transgjinorë

 

Tiranë, 21 Maj 2021 –Personat transgjinorë në Shqipëri thyejnë barrierat dhe për herë të parë të guxojnë të sjellin realitetin e tyre nëpërmjet fotografive. Të papranuar nga shoqëria, shpesh të harruar, të dhunuar e të përbuzur, transgjinorët ngritën zërin e tyre, kësaj here nëpërmjet artit. 

Ekspozita “Të jesh Transgjinor në Shqipëri”, që u hap dje në mbrëmje në Tiranë, në prani të miqve, kolegëve dhe komunitetit transgjinor, organizohet nga Ambasada PINK për herë të parë në Shqipëri.

Ekspozita bazohet ne kontibutin e vyer të katër personave transgjinorë nga Shqipëria, të cilët pranuan të ishin figurat qendrore të saj. Luana, Lola, Amelia dhe Denisa, iu bashkuan nismës së Ambasadës PINK për të realizuar ekspozitën e parë të personave transgjinore, duke përdorur si background një prej mjediseve mbase më domethënëse në Shqipëri, ish-burgun famëkeq të të burgosurve politikë gjatë periudhës komuniste, në Spaç.

Historia e këtij burgu, në të cilin për arsye politike, të paktën 2000 personave iu hoq liria apo edhe jeta, vetëm sepse ata nuk kishin frikë të thonin të vërtetën, erdhi në sinergji me konceptin e vetë ekspozitës dhe qenien transgjinor në Shqipëri.

“Të jesh transgjinor është të jesh i burgosur i ndërgjegjes!” - tha në hapje të Ekspozitës Altin Hazizaj, ideator i ekspozitës dhe njëkohësisht President i Ambasadës PINK. - “Transgjinorët, kërkojnë të jenë njerëz të lirë dhe krenarë për identitetin e tyre.”

“E ardhmja e komunitetit transgjinor është një sfidë e vështirë. Është e vërtetë që janë bërë hapa pozitivë, por menndoj se kemi akoma shumë punë dhe mund për ta shpënë kauzën tonë përpara.”- tha Luana, një ndër katër personat trans që kontribuoi në hapjen e ekspozitës.

Koncepti i ekspozitës të fotografuar nga i mirënjohuri Gent Shkullaku, vendos në qendër të tij personat transgjinorë të veshur sipas dëshirës së tyre brenda mjediseve të ish-burgut të Spaçit. Veshjet e përzgjedhura ishin nga ato me personalet deri tek kostumet ushtarake dhe ato kombëtare të Shqipërisë.

Ekspozita u hap në Galerinë ZETA, dhe do të qendrojë e hapur nga data 20-24 Maj 2021, nga mengjesi deri në mbremje. Ekspozita mbështetet nga Njësia e Orientimit Seksual dhe Identitetit Gjinor e Këshillit të Europës.

 

Për më tepër informacion kontaktoni në adresën:

Ambasada PINK Shqipëri

pink@pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët