“PO RESPEKTIT – JO HOMOFOBISË!”

   Ambasada PINK Shqipëri hap Festivalin e 13-të të Diversitetit

 

Tiranë, 17 Maj 2022 – Ambasada PINK në Tiranë, komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, hapën sot Festivali e 13-të të Diversitetit për të Drejtat LGBTI në Shqipëri, një event i përvitshëm i organizuar nga PINK me partnerët e saj, Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut dhe CRCA/ECPAT Shqipëri.

Duke i kushtuar një vëmendje të veçantë ndërgjegjësimit të publikut shqiptar mbi gjendjen e të drejtave të personave LGBTI në vendin tonë, PINK do të shpalosë flamurin shumëngjyrësh në Sheshin Nënë Tereza, pikërisht në 17 Maj në hapje të Festivalit.

Përgjatë javës së Diversitetit kundër Homofobisë e Transfobisë, Ambasada PINK me mbështetjen e Këshillit të Europës, hap për të dytin vit radhazi ekspozitën lëvizëse në qytetet kryesore të Shqipërisë për t’i thënë: PO Respektit - JO homofobisë.

Aktivitetet në rrethe nisin me hapjen e ekspozitës “Të jesh Transgjinor në Shqipëri”, një iniciativë kjo e Ambasadës PINK dhe që thyen barrierat e paragjykimeve përkundrejt personave transgjinorë në vendin tonë.

Ekspozita hapet në qytetin e Durrësit më 17 Maj, për të vijuar më tej në qytetet e tjera, si Vlorë, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë.

Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun nga dy ditë në secilin qytet. Në këtë ekspozitë personat transgjinorë paraqiten të veshur në mënyrën siç ndihen ata vetë - duke treguar sesi një person transgjinor dëshiron dhe ëndërron të jetë në një mjedis të sigurt, miqësor, respektues dhe mbështetës. Në krahasim me realitetin në të cilin personat transgjinorë jetojnë në Shqipëri, kjo ekspozitë ka për qëllim të zbulojë gjithashtu një anë tjetër të jetës së tyre, vështirësitë që ata përballin në jetën e tyre, të detyruar të jetojnë të fshehur dhe duke qenë gjatë gjithë kohës në kushtet e mbijetesës.

Në këtë javë, Ambasada PINK, do t’i kushtojë vemendjen kryesore sfidave me të cilat përballen personat LGBTI në Shqipëri . Në këtë kuadër, më datë 20 Maj, PINK në bashkëpunim me Linjën Kombëtare ISIGURT.AL dhe CRCA/ECPAT Shqipëri do të prezantojnë Platformën Kombëtare në Internet Raporto Krimet dhe Gjuhën e Urrejtjes”.

Java e Festivalit të 13 të Diversitetit në Shqipëri, mbyllet më 21 Maj me Marshimin e Krenarisë, i cili do të sjellë për herë të parë së bashku të gjitha organizatat LGBTI, në një marshim përgjatë bulevardit kryesor në Tiranë.

 

Më poshtë keni kalendarin e aktiviteteve kryesore të Ambasadës PINK:

 

FESTIVALI 13-të i DIVERSITETIT

 

Plani i Aktiviteteve IDAHOT & Marshimi Krenarisë

 

17 Maj  - 09.00              Ngritja e Flamurit – event i përvitshëm (Sheshi Nënë Tereza, Kolonat)  

17 Maj – 11.00                 Ekspozita “Të jesh Trans në Shqipëri”: Durrës, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë – bazuar në suksesin e saj gjatë vitit të kaluar, ekspozita do të udhëtojë në 6 qytete të Shqipërisë për të ndërgjegjësuar komunitetet lokale për të drejtat e personave transgjinorë. 

20 Maj – 11.00             Prezantimi i Platformës Kombëtare në Internet “Raporto Krimet dhe Gjuhën e Urrejtjes” – në bashkëpunim me Linjën Kombëtare ISIGURT.AL dhe CRCA/ECPAT Shqipëri. 

21 Maj - 11.00                 MARSHIMI I KRENARISË – këtë vit të gjitha organizatat LGBTI kanë rënë dakord që të bashkë-organizojnë Marshimin e Krenarisë.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët