Shqip
English
Qendra e Emergjencës për Komunitetin LGBT
- Feb 23, 2011
- Ambasada Pink
1.1 Abstrakt
Qendra e Emergjencave “Strehëza LGBT” funksionon që prej muajit Dhjetor 2011, si e para qendër pritjeje për personat LGBT të ndodhur në momente të vështira jetësore. Ajo është realizuar nga Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri falë mbështetjes së Planet Romeo Foundation/Hollandë.
Për menaxhimin, mirëmbajtjen, rregullat e jetesës në këtë qendër do të kujdeset Ambasada PINK përmes një personi përgjegjës të punësuar prej saj.
Për qëllime transparence dhe për ti ardhur në ndihmë komunitetit LGBT ky dokument mund të shkarkohet në faqen tonë online: www.pinkembassy.al
1.2 Rregullat e pranimit në qendër
Qendra e Emergjencës “Strehëza e Ylberit” do të ketë kritere pranimi për strehim.
Personi që do të kërkojë të akomodohet pranë qendrës duhet:
1. të ketë mbushur ose të jetë mbi moshën 18 vjeç. Për persona LGBT adoleshentë dhe fëmijë, Ambasada PINK ofron asistencë për akomodim dhe strehim pranë qendrave të emergjencës për fëmijët.
2. të jetë pjesëtar/e i/e komunitetit LGBT (lesbike, gei, biseksual/e. transgjinor/e). Për persona që nuk i përkasin këtij komuniteti, në Shqipëri funksionojnë të tjera qendra emergjence.
3. të vërtetojë që është i/e dëbuar nga mjedisi familjar, që siguria e tij/saj rrezikohet nga të afërm ose persona të tjerë, që nuk ka mundësi strehimi/akomodimi në mjedise të tjera, që nuk ka të ardhura të mjaftueshme për akomodim privat, që mund të ketë qenë viktimë e diskriminimit në mjedisin ku jeton etj. Ambasada PINK nuk do të kërkojë dokumenta vërtetuese për sa më sipër, por vendimi për strehimit tuaj do të gjykohet në bazë të besueshmërisë dhe vërtetësisë që jepni pranë personit përgjegjës dhe stafit të Ambasadës PINK.
4. të sqarojë nëse vuan nga ndonjë sëmundje kronike për të cilën mund të ketë nevojë për ndërhyrjen e shpejtë psh. probleme me zemrën, diabet etj.
5. të plotësojë formularin e aplikimit për strehim në qendër, i cili mund të gjendet online në faqenwww.pinkembassy.al , mund të kërkohet me e-mail në adresën communitypink@gmail.com ose të tërhiqet dhe plotësohet pranë zyrave të Ambasadës PINK nga e Hëna në të Enjte 09:30-17:00 dhe ditën e Premte 09:30-14:00.
6. do të lajmërohet nëse është pranuar për tu strehuar pas qendrës pas 1-2 ditësh, kohë e mjaftueshme për që stafi i PINK të gjykojë rastin e tij/saj.
7. përpara pranimit, personi duhet të firmosë një dokument marrëveshje me PINK i cili parashtron rregullat e qëndrimit në strehëz, kohëzgjatjen dhe penalizimet në rast të shkeljes së këtyre rregullave.
1.3 Rregullore e qëndrimit në strehëz
Rregullat e mëposhtme janë të domosdoshme për një bashkëjetesë sa më të qetë dhe dinjitoze në strehëz.
Personat e strehuar në qendër duhet:
- të përdorin me kujdes maksimal çdo mjedis, objekt dhe aparat të gjendur në strehëz. Dëmtimi i tyre do t’ju mbajë drejtpërdrejt përgjegjës.
- Ndalohet rreptësisht pirja e duhanit, alkoolit dhe substancave të ndaluara narkotike në mjediset e strehëzës. Pirja e duhanit lejohet vetëm në mjediset e ballkonit dhe bishtat e cigareve duhet ti hidhni te tavëll dhe jo jashtë ballkonit.
- Ndalohet mbajtja dhe sjellja e armëve të ftohta (thika, armë etj) në mjediset e strehëzës.
- Ndalohet sjellja e objekteve elektronike apo elektrike për gatim (tharrëse flokësh, hekur për hekurosje etj) në strehëz.
- Ndalohet sjellja e shumë gjërave personale. Maksimumi i lejuar mund të jetë një valixhe dhe atë duhet ta vendosni poshtë krevatit tuaj që në momentin e mbërritjes në strehëz. Ndalohet lënia e sendeve personale nëpër strehëz. Ju jeni personi i vetëm përgjegjës për gjërat tuaja dhe personi përgjegjës i strehëzes nuk mban përgjegjësi për objektet e humbura.
- Ndalohet lënia e gjërave personale në tualet. Humbja apo dëmtimi i tyre nuk janë përgjegjësi e përgjegjësit të strehëzes.
- Ndalohet të folurit me zë të lartë, bërja e zhurmës dhe bërtitjet në mjediset e brendshme dhe të jashtme të strehëzës.
- Hyrja në mjediset e qendrës bëhet në orarin 20:00-21:00 të mbremjës. Pas kësaj ore përgjegjësi i qendrës nuk është i detyruar t’ju lejojë të hyni. Nëse ju vini më vonë se ky orar, personi përgjegjës ka për detyrë të raportojë pranë Ambasadës PINK.
- Gjatë kohës së qëndrimit në strehëz, është detyra juaj që të rregulloni krevatin tuaj çdo mëngjes, të lani enët dhe çdo objekt tjetër sa herë që e përdorni, të pastroni tualetin sa herë që e përdorni. Nëse ju keni një problem shëndetësor (grip, ftohje etj) duhet të kërkoni ndihmën e personit përgjegjës.
- është reptësisht e ndaluar të konsumoni pije dhe ushqime tek dhoma e fjetjes.
- Për shkak të faktit se kjo është një strehëz komunitare, jeni të detyruar që dushin ta bëni vetëm gjatë mbrëmjes dhe gjatë mëngjesit ta përdorni tualetin sa më shpejt në mënyrë që ti jepni kohë të gjithë banorëve të tjerë.
- Në orën 23:00 fiken zyrtarisht dritat e strehëzës. Nëse ju apo persona të tjerë dëshironi të qëndroni në mjediset e sallonit apo ballkonit për të lexuar, biseduar apo parë televizor duhet të mos bëni zhurmë për të respektuar personat e tjerë në strehëz.
- Zgjimi bëhet në orarin 07:30-09:30. Gjatë këtij orari duhet të keni përdorur tualetin, ngrënë mëngjesin dhe pastruar mjedisin. Qëndrimi në strehëz jashtë këtij orari është i ndaluar.
- Kur të largoheni nga strehëza përfundimisht, sigurohuni që keni marrë gjithçka personale me vete. Personi përgjegjës dhe Ambasada PINK nuk mbajnë përgjegjësi për objektet tuaja personale dhe do të hedhë çdo gjë që nuk i përket mjediseve të strehëzës.
- Ndalohet sjellja e mysafirëve dhe personave të panjohur ose të paftuar në strehëz. Kjo qendër funksionon vetëm për persona LGBT të cilët kanë aplikuar pranë Ambasadës PINK dhe vendndodhja e saj është e panjohur për publikun dhe komunitetin në gjerësi.
-Ndalohet kryerja e marrëdhënieve seksuale në mjediset e strehëzës. Në rast të kundërt ju do të përjashtoheni nga strehëza pa asnjë paralajmërim.
- Mbani qetësi dhe silluni me edukatë gjatë kohës që dilni dhe hyni nga mjediset e strehëzës. Ajo ndodhet në një godinë rezidenciale dhe ju duhet të respektoni rregullat e bashkëjetesës në pallat ashtu si çdo banor tjetër.
- Ju keni të drejtë të pajiseni me një peshqir nga personi përgjegjës, të cilin duhet ta ktheni pas përdorimit si dhe nëse kërkoni peshqir të ri. Ju duhet ta lini peshqirin dhe çdo objekt tjetër që nuk është i juaji në strehëz.
- Ju nuk mund të qëndroni në mjediset e jashtme të godinës, të mblidheni në grup përpara tij apo të bëni zhurmë në mjediset e pallatit. Siç thuhet edhe më lart, kjo është një strehëz diskrete në ndihme të komunitetit LGBT dhe duhet të mbahet e tillë gjatë gjithë kohës.
- Ju duhet të respektoni njëri-tjetrin gjatë qëndrimit në strehëz dhe duhet të respektoni problemet apo kërkesat që mund të ketë çdo person i strehuar atje.
1.4 Rastet e përjashtimit nga strehëza
Personi përgjegjës dhe Ambasada PINK do të marrin masa administrative deri në përjashtim nga strehëza në rastet kur ju:
- keni shkelur një ose disa nga rregullat e qëndrimit në qendër (seksioni 1.3)
- keni sjellje të dhunshme, agresive dhe të rrezikshme për sigurinë e personave të tjerë në qendër.
- keni konsumuar drogë ose pije alkolike gjatë qendrimit në qendër ose nëse vini në qendër të dehur ose nën efektin e drogës.
- zbulohet që keni gënjyer për situatën tuaj për të përfituar strehim në mënyrë të padrejtë pranë strehëzës.
- Ambasada PINK dhe personi përgjegjës kanë të drejtë t’ju denoncojnë pranë organeve të Policisë në rast se zbulohet që ju jeni person në kërkim, jeni person i rrezikshëm për sigurinë në strehëz, ose keni kryer një akt agresioni ose vepër penale për të cilët Ambasada PINK mund të jetë vënë në dijeni.
1.5 Detyrat dhe të drejtat e personit përgjegjës të strehëzës
Personi përgjegjës i Qendrës së Emergjencës “Strehëza e Ylberit”:
- duhet të mbledhe dhe gjykojë çdo rast të paraqitur pranë tij ose Ambasadës PINK. Paraprakisht ai duhet të lajmërojë menaxherin e zyrës dhe duhet të ndajë me të rastin në fjalë.
- personi qe aplikon për tu strehuar pranë Qendrës së Emergjencës, duhet të plotësojë Formularin e Aplikimit të cilin duhet t’ia dorëzojë me E-mail ose të printuar personit përgjegjës.
- i asistuar edhe nga stafi i PINK ai do të marrë vendim brenda 2 ditëve për çdo rast të paraqitur pranë tij.
- bashkëfirmos marrëveshjen e pranimit në qendër të çdo personi që ka kërkuar strehim pranë saj.
- mban përgjegjësi për ecurinë dhe mbarëvajtjen e strehëzës, duke u siguruar që gjithçka funksionon normalisht.
- raporton pranë menaxherit të Ambasadës PINK me një përmbledhje mujore të hyrjeve dhe daljeve në strehëz si dhe për çdo situatë, problem apo rast të paraqitur.
- duhet të sigurohet që mjediset e strehëzës janë të pastra dhe se nuk ka asnjë dëmtim.
- duhet të raportojë për çdo problem të hasur për të cilin nevojitet ndëryrja e Ambasadës PINK
- duhet të bëjë listë mujore të produkteve që duhen në qendër: sapun, ilaç enësh etj si dhe të menaxhojë përdorimin e tyre me sa më shumë kujdes.
- nuk duhet të lejojë qëndrimin në strehëz të personave të strehuar jashtë orarit të caktuar, përveç rasteve shumë të veçanta (shëndetësore, siguri jete etj) për të cilat është marë një vendim paraprak.
- duhet të banojë në qendër.
si dhe:
- nuk mban përgjegjësi për sendet e humbura apo të lëna pas nga personat e strehuar në strehëz
- ka të drejtë të kërkojë përjashtimin nga strehëza të personave të cilët shkelin rregulloren (seksioni 1.3)
- nuk është i detyruar të qëndrojë në strehëz jashtë orareve zyrtare.














