“Të jesh trans në Shqipëri” viziton 6 qarqe të vendit!
- May 15, 2022
- crca-author
Ekspozita e parë e personave transgjinorë në Shqipëri, mbështetur nga Këshilli i Europës, do të udhëtojë nëpër Shqipëri, nga Jugu në Veri, duke ndërgjegjësuar dhe informuar mbi personat transgjender.
15 Maj 2022 - Ekspozita fotografike “Të jesh trans në Shqipëri”, udhëton në 6 qytetet kryesore të vendit. Kjo ekspozitë e ndërtuar me personazhet e katër personave transgjinorë nga Shqipëria, me mbështetjen e Këshillit të Europës, do të vizitojë gjashtë qarqe të vendit ndërmjet muajve Maj-Qershor 2022, me qëllimin kryesor për të ndërgjegjësuar institucionet dhe publikun për të drejtat e personave transgjinorë dhe gjendjen e tyre në vend.
Ekspozita vjen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT) dhe Festivalit të 13-të Diversitetit dhe që mbahen çdo vit rreth datës 17 Maj. Ekspozita do të hapet në Durrës, për të vijuar më pas rrugëtimin e saj në Elbasan, Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. Ekspozita është planfikuar që të qëndrojë e hapur për publikun nga 2 ditë për secilin qytet.
Në këtë event fotografik, imazhet e personave transgjinorë , kërkojnë të thyejnë barrierat dhe për herë të parë të guxojnë të sjellin realitetin e tyre nëpërmjet fotografive. Të papranuar nga shoqëria, shpesh të harruar, të dhunuar e të përbuzur, transgjinorët ngritën zërin e tyre, kësaj here nëpërmjet artit.
Luana, Lola, Amelia dhe Denisa, paraqiten në këtë ekspozitë të veshur në mënyrën siç ndihen ata vetë - duke treguar sesi një person transgjinor dëshiron dhe ëndërron të jetë në një mjedis të sigurt, miqësor, respektues dhe mbështetës.
Në krahasim me realitetin në të cilin personat transgjinorë jetojnë në Shqipëri, kjo ekspozitë dëshiron të zbulojë gjithashtu një anë tjetër të jetës së tyre, vështirësitë që ata përballin në jetën e tyre, të detyruar të jetojnë të fshehur dhe duke qenë gjatë gjithë kohës në kushtet e mbijetesës.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Ambasada PINK Shqipëri
E-mail: pink@pinkembassy.al