“Të jesh transgjinor në Shqipëri”, udhëton nga Durrësi në Elbasan

Në kuadër të Javës së Festivalit të 13-të të Diversitetit dhe Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Lezbofobisë,. Bifobisë dhe Transfobisë, Ambasada PINK me mbështetjen e Këshillit të Europës, kanë hapur Ekspozitën lëvizëse, e cila do të shfaqet në disa nga qytetet kryesore në në Shqipëri.

Ekspozita, u hap zyrtarisht në qytetin e Durrësit, në datë 17 Maj, që përkonte me Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, ku për dy ditë ofroi mesazhe ndërgjegjësuese për gjendjen dhe të drejtat e njeriut të personave transgjinorë. Pas Durrësit ekspozita udhëtoi drejt Elbasanit në datat 18-19 Maj. Në datë 20 Maj ekspozita kthehet në Tiranë, si pjesë e diskutimeve që do të mbahen gjatë prezantimit të Platformës Kombëtare të Raportimit të krimeve dhe gjuhës së urrejtjes në Shqipëri.

Personat transgjinorë mbeten ndër komunitetet më të diskriminuara në vend. Shqipëria nuk e njeh dhe nuk ofron ndryshimin e gjinisë apo seksit, për personat transgjinorë, ndaj shumica e tyre jetojnë një jetë të dyfishtë ndërmjet gjinisë që kanë dhe asaj që ju njihet në dokumentet zyrtare. Ambasada PINK po punon për ta ndryshuar këtë realitet, përfshirë edhe hapjen e kësaj ekspozite.

Ekspozita është ideuar dhe hapur për herë të parë gjatë vitit 2021, me kontributin e jashtëzakonshëm të Luanës, Lolës, Amelias dhe Denisës.

Ekspozita “TË JESH TRANSGJINOR NË SHQIPËRI” u realizua në mjediset e burgut më famëkeq të ish-komunizmit në Shqipëri, atë të Spaçit. Të paktën 2000 njerëz u burgosën në këtë gulag për arsye politike, shumica e të burgosurve sepse kishin folur hapur dhe pa frikë kundër regjimit komunist. Fotot u realizuan nga fotografi i njohur shqiptar, Gent Shkullaku.

Hapja e ekspozitës së lëvizhshme mbështetet nga Njësia e Orientimit Seksual dhe Identitetit Gjinor e Këshillit të Europës. Ajo do të udhëtojë në 6 qytete në Shqipëri.

 

 

#IDAHOT2022 #nejemifamilje #festivalidiversitetit #AmbasadaPINK #pinkembassyal #tiranapride #tejeshtransgjinor

Mbështetësit Dhe Partnerët